Secondary Adv

OSSH hap tenderin 4.4 mln euro për matësit inteligjentë të energjisë në Tiranë dhe Durrës

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka çelur tenderin për instalimin e mbi 14 mijë matësve inteligjentë të energjisë elektrike në Tiranë dhe Durrës, në kuadër të modernizimit të rrjetit të shpërndarjes.

Tenderi prej 4.4 milionë eurosh

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) parashikon të nisë zgjerimin e instalimit të matësve inteligjentë tek konsumatorët fundorë.

 

Këtë të enjte, në sistemin e prokurimeve publike u hap procedura me objekt “Instalimi i Sistemit të matjes inteligjente në konsumatorët fundor, në sistemin e matjes të Bilancit të Energjisë në Kabinat elektrike TM-TU, dhe integrimi i tyre në platformën e matjes të OSSH”, me një fond limit prej 432 milionë lekësh, ose rreth 4.4 milionë euro.

 

Sipas dokumenteve të tenderit, investimi do të fokusohet kryesisht në zonat me konsum të lartë energjie dhe me nivel më të lartë humbjesh në rrjet, me synimin për të rritur eficencën teknike dhe kontrollin mbi shpërndarjen e energjisë elektrike.

 

Mbi 14 mijë matës inteligjentë

OSSH parashikon instalimin e 14,035 matësve inteligjentë në total. Numri më i madh i pajisjeve do të vendoset në nënstacionin Sallmone me 7,760 njësi, i ndjekur nga Shkoza me 3,560 matës, Spitalla me 1,600 dhe Kashari me 1,115 matës inteligjentë.

 

Sipas operatorit, projekti është pjesë e strategjisë për zëvendësimin gradual të sistemit analog të matjes me teknologji inteligjente, në përputhje me ligjin për energjinë elektrike dhe direktivat e Komunitetit Europian të Energjisë.

 

Investimet e mëparshme në Durrës dhe Tiranë

OSSH bën të ditur se në kuadër të projekteve të mëparshme janë instaluar tashmë mijëra matësa inteligjentë në disa rajone të vendit. Në Durrës, gjatë investimit të vitit 2023, janë vendosur 1,752 sisteme inteligjente të matjes së bilancit në kabinat TM-TU, ndërsa në vitin 2024 u instaluan edhe 848 matësa inteligjentë tek konsumatorët fundorë që furnizohen nga këto kabina.

 

Në Tiranë, në fidrat F7 dhe F8 të nënstacionit të Kasharit, janë instaluar 200 sisteme inteligjente të matjes së bilancit dhe 3,157 matësa inteligjentë tek abonentët fundorë.

 

Objektivi: ulja e humbjeve dhe modernizimi i rrjetit

Sipas OSSH-së, zgjerimi i projektit lidhet edhe me rritjen e numrit të konsumatorëve në këto zona, si pasojë e shtimit të popullsisë dhe zhvillimeve të reja urbane, përfshirë ndërtimet e realizuara pas rindërtimit nga tërmeti i vitit 2019.

 

Kompania argumenton se ruajtja e së njëjtës teknologji komunikimi synon të garantojë kompatibilitetin me investimet ekzistuese dhe përdorimin maksimal të infrastrukturës së ngritur deri tani.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat